25 vjet nga vdekja e Xhemail Mustafës — Besian Mustafa përkujton babanë

Sot shënohen 25 vjet nga vdekja e Xhemail Mustafës. Djali i tij, Besian Mustafa, ndau në rrjetet sociale një mesazh prekës, ku kujtoi momentet e fundit dhe mësimet që mori nga babai.

“Ka një boshllëk që s’ka ditë, vit apo sukses që e mbush. Është boshllëku i zërit tënd, i duarve të tua, i mënyrës si më shikoje kur si tinejxher flisja me pasion për diçka… më nxisje të mendoj e flas”, shkroi ai.

Mustafa kujtoi edhe periudhën e vështirë gjatë luftës së vitit 1999. “Qëndruam në Prishtinë, nën zhurmat e sirenave dhe shpërthimeve, ndërsa në dhomë mbretëronte ajo qetësia jote e çuditshme, që vetëm ti e kishe. Qetësi që si fëmijë ma jepte ndjenjën se gjithçka do të ishte mirë, edhe kur bota jashtë dukej sikur po shkatërrohej”, theksoi ai.

Ai shtoi se mësimet më të mëdha që ka marrë nga babai lidhen me dashurinë për familjen, njerëzit dhe vendin. “Më mungon gjithçka. Sot nuk dua të flas për urrejtje, padrejtësi apo politikë. Sot dua vetëm të të kujtoj ty, njeriun e thjeshtë, të mençur, të përkushtuar, që më mësoi se liria dhe e mira jetojnë te njerëzit e butë, te ata që nuk dorëzohen.”

Mesazhin Besian e përfundoi me një reflektim personal dhe shpresë: “Babë, u bënë 25 vjet pa ty… Por çdo ditë jetoj me atë që më dhe në ato pak vite që patëm bashkë. Do të shihemi përsëri.”

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *