Në vitin 2018, Range Rover Sport mundi të ngjisë 999 shkallët e njohura të Heaven’s Gate në Kinë, duke i dhënë një shtysë të madhe reputacionit dhe fushatës së marketingut për markën Land Rover. Ky sukses mbeti në kujtesën e entuziastëve të automobilizmit dhe e ngriti stekën për çdo sfidë të ngjashme të ardhshme.
Së fundmi, prodhuesi kinez i automjeteve, Chery, mori përsipër një sfidë të ngjashme me modelin e saj Fulwin X3L, një SUV që siluetohet ngjashëm me modelin ikonik Defender. Mirëpo, përpjekja nuk rezultoi ashtu siç ishte planifikuar. Gjatë ngjitjes së shkallëve, rreth tre të katërtave të rrugës, ndodhi një incident i papritur. Një zhurmë e fortë u dëgjua dhe një element i errët u shkëput nga automjeti, duke e bërë atë të humbasë kontrollin.
Pas incidentit, SUV-i humbi fuqi dhe ndaloi, duke filluar më pas të rrëshqasë prapa. Mjeti goditi një parmak dhe rrëzoi një pjesë të rrethimit, duke krijuar një skenë të pakëndshme. Kjo pamje u përhap shpejt në rrjete sociale, duke u kthyer në një siklet të madh për Chery.
Në një deklaratë publike, Chery kërkoi falje duke bërë të ditur se testi ekstrem i 12 nëntorit ishte ndërprerë për shkak të një ngjarjeje të paparashikuar. Sipas një hetimi paraprak, një litar sigurie ishte shkëputur dhe ngatërruar në rrotën e djathtë të automjetit, çka çoi në humbjen e fuqisë dhe përplasjen.
Chery ka premtuar se do të mbulojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga incidenti dhe do të përmirësojë procesin e vlerësimit të rreziqeve për të ardhmen.