ATRC sjell serialin ‘Bëje Tënden’: Një hap drejt ndërgjegjësimit për të drejtat pronësore

Në një mbrëmje të ngrohtë e plot energji, organizata joqeveritare Qendra për Trajnim dhe Burime për Avokim (ATRC) prezantoi episodin e parë të serialit të ri vendor “Bëje Tënden.” Ky serial është pjesë e një fushate të gjerë vetëdijësimi me moton “Bëje Tënden. Regjistroje Pronën!” që synon marrjen e ndërgjegjësimit publik mbi të drejtat pronësore.

Premiera u zhvillua përpara një audience të gjerë që përfshinte institucione, aktorë dhe partnerë të shumtë, duke u prezantuar si një përpjekje për të adresuar sfidat që qytetarët e Kosovës hasin gjatë trashëgimisë dhe regjistrimit të pasurisë. Me një kastë aktorësh vendas, seriali i përbërë nga gjashtë episode, ofron një pasqyrë të realitetit të jetës së përditshme në Kosovë në lidhje me çështjet pronësore.

Kushtrim Kaloshi, drejtori ekzekutiv i ATRC-së, theksoi rëndësinë e kësaj fushate, ndërsa falënderoi organizatat partnere për kontributin e tyre të çmuar. “Organizatat tona partnere kanë kryer një punë të jashtëzakonshme në terren, duke informuar mbi 6,500 familje dhe duke ofruar më shumë se 1,500 këshilla juridike falas,” tha Kaloshi, duke shtuar se mbi 400 familje janë mbështetur financiarisht për regjistrimin e pronave të tyre.

Odeta Naks, menaxhere e projektit PIAKOS, vlerësoi nivelin edukativ të serialit, duke theksuar se temat e trajtuara, si divorci, trashëgimia dhe legalizimi i pronës, janë të përditshmet për shumë familje. “Secili episod mbart një mesazh të rëndësishëm, duke ndërthurur aspekte artistike dhe juridike,” theksoi Naks.

Producenti i serialit, Fisnik Ademi, ndau përvojën e tij gjatë xhirimeve, duke theksuar se edhe artistët kanë mësuar shumë nga ky projekt. “Kemi hasur në shumë informacione që nuk i dinim më parë, dhe kemi tentuar të jemi sa më origjinalë dhe të kapshëm për publikun,” tha ai.

Seriali do të transmetohet çdo të shtunë në orën 22:00 në Televizionin Tëvë1, ndërkohë që fushata “Bëje Tënden. Regjistroje Pronën!” vazhdon të promovojë epokën e re të vetëdijesimit për rëndësinë e regjistrimit dhe legalizimit të pronës, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë në Kosovë. Fushata synon të frymëzojë qytetarët për të ndërmarrë veprime konkrete, duke e bërë këtë një proces që përfshin përgjegjësi dhe barazi në familje dhe shoqëri.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *