Seriali “Bëje Tënden”: Nis fushatën për vetëdijësim mbi të drejtat pronësore në Kosovë

E premtja mbrëma shënoi një ngjarje të veçantë për Qendrën për Trajnim dhe Burime për Avokim (ATRC) me shfaqjen e episodit të parë të serialit vendor “Bëje Tënden”. Ky serial është pjesë e fushatës vetëdijësuese për të drejtat pronësore “Bëje Tënden Regjistroje Pronën!”, një produkt i krijuar brenda kësaj nisme. Përpara shumë pjesëmarrësve dhe partnerëve të projektit, përfaqësuesve të institucioneve dhe aktorëve, u prezantua ky projekt televiziv që synon të informojë për sfidat që qytetarët e Kosovës hasin gjatë procesit të trashëgimisë dhe regjistrimit të pronës. I realizuar nga ATRC përmes projektit PIAKOS, seriali përbëhet prej 6 episodash që trajtojnë çështje pronësore në shoqërinë kosovare, duke synuar ndërgjegjësimin qytetar. Drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, e cilësoi serialin si një vlerë të shtuar për shoqërinë kosovare, duke theksuar rëndësinë e projektit në ndërgjegjësimin publik për të drejtat pronësore. “Dua të falënderoj organizatat partnerë që kanë pasur barrën kryesore të aktiviteteve në terren, duke kontaktuar mbi 6,500 familje dhe ofruar mbi 1,500 këshilla juridike falas, si dhe duke mbështetur financiarisht mbi 400 familje për regjistrimin e pronës,” tha Kaloshi. Odeta Naks, menaxhere e projektit PIAKOS, e quajti serialin një kontribut të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat pronësore dhe barazinë gjinore, duke vlerësuar punën e kastës së aktorëve në përcjelljen e mesazheve ndërmjet artistikes dhe juridikes. “Secili episod ka një temë të veçantë që mund të jetë çështje e divorcit, trashëgimisë apo legalizimit të pronës,” theksoi Naks. Producenti i serialit, Fisnik Ademi, përmendi se gjatë xhirimeve kanë mësuar shumë për çështjet e pronave. “Kemi hasur në informacione të reja dhe kemi provuar të jemi sa më autentikë dhe të kuptueshëm për publikun,” tha ai. Premiera e serialit “Bëje Tënden” u prit me interesim të madh, me episodin e parë të transmetuar më 15 nëntor. Episodet vijues do të shfaqen çdo të shtunë nga ora 22:00 në televizionin Tëvë1. Fushata “Bëje Tënden. Regjistroje Pronën!” ka si qëllim vetëdijësimin qytetar për rëndësinë e regjistrimit dhe legalizimit të pronës, informimin e të rinjve për të drejtat pronësore dhe ofrimin e ndihmës juridike falas për familjet e kualifikuara, si dhe promovimin e të drejtave pronësore të grave. Përmes aktiviteteve informuese dhe serialit televiziv, fushata synon të frymëzojë qytetarët në marrjen e veprimeve konkrete për regjistrimin e pronës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *