Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, deklaroi se Raporti vjetor i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2025 paraqet një pasqyrë të qartë të arritjeve deri më tani dhe të fushave ku reformimi duhet të intensifikohet. Ai shtoi se vendi mban një nivel të qëndrueshëm dhe të mirë të përgatitjes në disa kapituj kyç, por dinamika e përparimit duhet të jetë më energjike, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Murtezani theksoi se Qeveria ka vullnet të qartë politik për të konkretizuar reformat dhe përshpejtuar miratimin e ligjeve të rëndësishme, duke shndërruar gatishmërinë në rezultate reale. Agjenda e reformave, raportet e skriningut dhe Plani i rritjes ofrojnë arkitekturën e plotë për përparim, ndërsa detyrimi i institucioneve është që të sigurojnë një ritëm dhe zbatim të qëndrueshëm.