George Clooney: Mësimi më i madh nga dështimi në ‘Batman & Robin’

Aktori i njohur i Hollywoodit, George Clooney, ka folur së fundmi për përvojën e tij në filmin “Batman & Robin” të vitit 1997, duke e quajtur atë një nga mësimet më të vlefshme në karrierën e tij.

Gjatë një interviste në premierën e filmit të tij të ri “Jay Kelly” në Los Angeles, Clooney u ndal te rëndësia e mësimeve që vijnë nga dështimet. “‘Batman & Robin’ – mësova shumë nga kjo. Nuk mëson nga suksesi, mëson nga dështimi. Por duhet ta kuptosh gjatë rrugës, kështu që është e dobishme”, u shpreh ai.

Filmi në fjalë u prit me shumë kritika negative dhe mori 11 nominime për çmimin ‘Mjedra e Artë’, që jepet për arritjet më të dobëta në industrinë e filmit. Aktualisht, filmi ka një vlerësim prej vetëm 11 për qind në platformën Rotten Tomatoes.

Clooney ka qenë vetë kritik për rolin e tij si Batman/Bruce Wayne dhe është shprehur më herët se përfshirja në këtë projekt ndikoi në mënyrën se si ai e qas punën e tij në Hollywood.

Në një intervistë për The Hollywood Reporter në vitin 2019, aktori tha: “Nuk isha i mirë në të, nuk ishte një film i mirë. Ajo që mësova nga ai dështim është se duhej të mësoja nga e para si të punoja. Tani nuk isha thjesht një aktor që po merrte një rol, isha përgjegjës për vetë filmin”.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *