Gjenerali gjerman Klaus Reinhardt, në një shënim të tij, kishte thënë se Hashim Thaçit nuk duhej besuar, pasi gjatë një konference të përbashkët nuk ishte distancuar nga veprimet e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).
Prokurori Matt Halling, duke lexuar dorëshkrimin e gjeneralit Reinhardt, tha: “Ai (Thaçi) akuzon palën serbe se ka rifilluar gjenocidin dhe dëbimin e personave. Ai përshkruan situatën e refugjatëve dhe pretendon se ata kanë kaluar në këmbë përmes bjeshkëve me sendet e fundit. Mbase ai ka qenë në një realitet tjetër nga unë. Më pas ai flet për vuajtjet e shqiptarëve, por nuk u distancua nga UÇPMB-ja.”
Sipas dorëshkrimit, Reinhardt kishte kritikuar Thaçin për mospërmendjen e çështjes së sigurisë dhe për deklarata që ai i cilësonte si të rreme dhe propagandistike. “Nuk tha asnjë fjalë për sigurinë, përkundrazi tha të kundërtën. Jam i zemëruar që nuk mund të ndërhyj para kamerave. Sapo të dal nga dhoma, do ta ballafaqoj Thaçin. I thashë që më ke tradhtuar besimin. Ai tha se foli si politikan i shqiptarëve të Kosovës, por unë i bëra të ditur se nuk do të marr më pjesë në konferenca të tilla dhe do ta kufizoj bashkëpunimin me të në minimum.”
Më tej, Reinhardt theksoi se kërcënimi për minimizim të bashkëpunimit nuk e shqetësonte Thaçin dhe se ky i fundit kishte ndërtuar një narrativë kombëtare që synonte të fitonte mbështetjen e opinionit publik shqiptar.
Gjithashtu u raportua se gjenerali amerikan Wesley Clark ishte i zemëruar meqë Thaçi, sipas dorëshkrimit, kishte premtuar diçka tjetër. Reinhardt po ashtu kishte dënuar dhunën në Luginën e Preshevës duke paralajmëruar rrezikun e përshkallëzimit të krizës në rajon. “Jam shumë i shqetësuar për ngjarjet në Luginën e Preshevës. Situata në kufirin mes Kosovës dhe Luginës mund të përshkallëzojë me shpejtësi dhe të ndikojë negativisht në rajon. Ne e dënojmë përdorimin e dhunës në këtë zonë.”
Në dëshminë e tij, Wesley Clark konfirmoi se ishte në dijeni për situatën, megjithëse nuk kishte qenë personalisht i pranishëm në ngjarje. “UÇK po kalonte nga një organizatë ushtarake në një përfaqësim politik për të ardhmen e Kosovës. Kam lexuar për dhunë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.”
Clark sqaroi se Lugina e Preshevës ndodhet në Serbi dhe është një zonë me një popullatë të konsiderueshme shqiptare. Ai shtoi se kjo pjesë ka qenë delikate pas luftës dhe se shqiptarët e Kosovës e konsideronin atë si territor shqiptar.
Në përgjigje të pyetjeve të prokurorit Halling, Clark pranoi se deklaratat për Luginën e Preshevës mund të tensiononin marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Ai tha se shqiptarët kishin të drejtë të shpreheshin për ndikimin e masave serbe ndaj shqiptarëve në këtë zonë fqinjë.
/Betimi për Drejtësi/