AKK organizon takim për funksionimin e organeve komunale pas zgjedhjeve

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në bashkëpunim me OSBE-në, ka organizuar takimin e Kolegjiumit të Zyrtarëve Ligjorë, me fokus në funksionimin dhe konstituimin e organeve komunale pas zgjedhjeve lokale.

Gjatë takimit, u zhvillua një debat gjithëpërfshirës mbi procedurat ligjore dhe administrative që lidhen me formimin e institucioneve komunale. Diskutimet përfshinë të gjitha etapet e konstituimit, duke nisur nga dhënia e betimit nga kryetari i komunës dhe anëtarët e kuvendit komunal, verifikimi i mandateve, organizimi i seancës konstituive, zgjedhja e kryesuesit të kuvendit, deri te rregullat për funksionimin e këtij institucioni.

Pjesëmarrësit trajtuan edhe çështje që lidhen me kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve ekzekutive, proceset e vendimmarrjes, nënshkrimin dhe zbatimin e akteve komunale, si dhe harmonizimin e tyre me kuadrin ligjor në fuqi.

Qëllimi i takimit ishte të ofrojë qartësi mbi të gjitha aspektet praktike dhe juridike, me synim garantimin e funksionimit të rregullt, transparent dhe në përputhje me standardet ligjore.

Në përfundim, përfaqësuesja e AKK-së njoftoi se deri në fund të vitit do të organizohet një trajnim për pozitat udhëheqëse dhe një punëtori me OSBE-në, ku do të prezantohen aktivitetet e Kolegjiumit për vitin 2025 dhe do të hartohet plani i punës për vitin 2026.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *