14 ndërtesa publike do të rikonstruohen deri në vitin 2028

Ministria për Energjetikë, Miniera dhe Burime Minerale ka njoftuar se në periudhën e ardhshme do të rikonstruohen 14 ndërtesa publike, të cilat strehojnë 33 institucione dhe përdoren nga mbi 5.000 persona çdo ditë.

Ky njoftim vjen pas finalizimit të Planit për Rikonstruimin e Ndërtesave të Përdorura nga Personat e Sektorit Publik në Nivel Shtetëror për periudhën 2025–2028, i cili ofron një kornizë trevjeçare për rinovimin energjetik të institucioneve publike në vend. Plani është tashmë i miratuar nga Qeveria, pas një procesi koordinimi me të gjitha 33 institucionet përfituese.

Sipas Ministrisë, ky dokument është pjesë e axhendës së reformave dhe përmbush një detyrim ligjor që kërkon rinovimin e të paktën 3 për qind të sipërfaqes totale të përdorshme të ndërtesave publike çdo vit. Rinovimi do të shoqërohet me masa të detyrueshme për efikasitet energjetik.

Programi përfshin një sipërfaqe totale të përdorshme prej 102.992 metra katrorë. Qëllimet kryesore janë ulja e kostove të energjisë, përmirësimi i kushteve të punës, reduktimi i emetimeve dhe modernizimi i sektorit publik në përputhje me standardet evropiane.

Ndërtesat e përfshira në plan janë renditur sipas gjendjes aktuale dhe nevojës për ndërhyrje.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *