ZRrE mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme për liberalizimin e tregut të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (P.A.nr.18/2025), që lidhet me zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në Ligjin për Energjinë Elektrike.

Sipas komunikatës për media, Gjykata ka hedhur poshtë kërkesëpadinë e paraqitur për shfuqizimin dhe shpalljen si të paligjshme të Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike. Po ashtu, janë refuzuar edhe kërkesëpaditë për korrigjimin e faturave dhe shfuqizimin e kontratave individuale për konsumatorët jofamiljarë, duke i konsideruar këto kërkesa të palejueshme.

ZRrE ka theksuar se, në bazë të vendimit të Gjykatës, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike do të vazhdojë, ndërsa kontratat ekzistuese për konsumatorët në treg të hapur mbeten në fuqi.

Gjykata gjithashtu ka shfuqizuar dy dispozita të Udhëzuesve për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të viteve 2017-2019, pasi ato janë gjetur në kundërshtim me legjislacionin e energjisë. ZRrE ka njoftuar se është duke ndjekur procedurat ligjore për shfuqizimin e këtyre dispozitave.

Sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, të drejtën për furnizim me tarifa të rregulluara e kanë vetëm konsumatorët që kualifikohen për Shërbim Universal. ZRrE sqaron se vendimi i saj për tarifat me pakicë për vitin 2025, i vlerësuar si i ligjshëm nga Gjykata, nuk është mbështetur në dispozitat tashmë të shfuqizuara.

Gjykata ka vërtetuar se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara u përket vetëm konsumatorëve të kualifikuar për Shërbim Universal, në përputhje me vendimin e Bordit të ZRrE-së për vitin 2025 si dhe me Direktivën për Energji Elektrike të Bashkimit Evropian (2009/72/EC).

ZRrE rikujton se, sipas detyrimeve ligjore të përcaktuara në Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, ka për obligim të përcaktojë tarifa me pakicë vetëm për konsumatorët që kanë të drejtë për Shërbim Universal. Konsumatorët që nuk e gëzojnë këtë të drejtë duhet të furnizohen në treg të hapur, siç e parashikon ligji – një detyrim që shkon përtej kompetencave të ZRrE-së.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *