Wesley Clark dëshmon në Hagë: UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste

Gjenerali amerikan Wesley Clark ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ishte një organizatë terroriste, por një grup që kundërshtoi shtypjen serbe gjatë viteve 1990.

Clark theksoi se UÇK-ja luftoi kundër një regjimi “të padrejtë dhe të jashtëligjshëm”, duke shtuar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk mund të mbahet përgjegjës për aktet e dhunës individuale pas luftës.

“Shtypja kërkon rezistencë. UÇK-ja bëri pikërisht këtë. Ata nuk ishin terroristë”, deklaroi Clark.

Sipas tij, Thaçi nuk kishte komandë të drejtpërdrejtë mbi UÇK-në, dhe akuzat ndaj tij nuk ishin të mbështetura në prova të mjaftueshme.

Gjatë dëshmisë, Clark vlerësoi se Ramush Haradinaj ishte një komandant i fuqishëm dhe i pavarur, çka e shtyn të besojë se UÇK-ja nuk funksiononte me një zinxhir tradicional komandimi.

“Këta ishin individë me personalitet të fortë që merrnin vendime kritike për jetën e familjeve të tyre. Nuk kishte një strukturë të qartë komanduese,” tha ai, duke shtuar se kjo e kishte vështirësuar edhe bashkëpunimin me NATO-n.

Clark i quajti akuzat për trafikim organesh si “absurde” dhe “dezinformim rus”.

“Nuk kishte logjikë që gjatë bombardimeve të NATO-s dikush të angazhohej në heqje organesh. Ishte thjesht propagandë,” sqaroi ai, duke theksuar se këto pretendime kishin ardhur nga burime ruse që kishin ofruar informacione që në vitin 1998.

Prokurori Mat Halling sfidoi Clarkun, duke pohuar se ai nuk kishte njohuri të mjaftueshme për veprimtarinë e UÇK-së për të gjykuar akuzat ndaj Thaçit.

Clark kundërshtoi, duke theksuar se UÇK-ja kishte funksionuar në mënyrë të decentralizuar dhe Thaçi nuk kishte ushtruar kontroll hierarkik.

“Po, unë besoj se akuzat nuk janë të mbështetura,” përfundoi ai.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *