Gazetari kroat dorëzon kallëzim në Itali për rolin e të huajve në “Sarajevo Safarin”

Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka dorëzuar një kallëzim penal në Zyrën e Prokurorit Publik në Milano, lidhur me të ashtuquajturin “Sarajevo safari” – një hetim që po zhvillohet në Itali mbi akuzat se të huaj paguanin për të qëlluar mbi civilët gjatë rrethimit të Sarajevës, tri dekada më parë.

Në kallëzim pretendohet se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vitet 1992 dhe 1993 ka qenë vullnetar i paligjshëm i luftës në Sarajevë. Sipas dokumentit, Vuçiq ka qenë pjesëtar i një njësie paramilitare nën kontrollin e Partisë Radikale Serbe, e komanduar nga Slavko Aleksiq.

Gjithashtu, theksohet se kjo njësi ka qenë e stacionuar në Varrezat Hebreje në Sarajevë, ku sipas deklaratave të Vojislav Sheshelit dhe juristit Zoran Krasiq në Tribunalin e Hagës, ka vepruar edhe Vuçiq.

Sipas kallëzimit të Margetiqit, ky lokacion përfshihej në një ofertë tragjike “turistike” për persona të pasur dhe me ndikim, kryesisht nga Italia, të cilët dyshohet se paguanin për të marrë pjesë në “gjueti njerëzore”, përfshirë edhe vrasje të fëmijëve në prani të prindërve të tyre.

Hetimet në Milano nisën pas një padie të paraqitur nga gazetari italian Ezio Gavazzeni, e cila përmban akuza se qytetarë italianë dhe të tjerë të huaj kanë paguar anëtarët e forcave serbo-boshnjake për të vizituar Sarajevën dhe për të qëlluar mbi civilët, një praktikë që nga disa është përshkruar si “turizëm snajperësh”.

Gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë (1992–1995), rreth 100 mijë persona humbën jetën.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *