Kuvendi ka miratuar amendamentet që parashikojnë aplikimin e TVSH-së prej 18% për porositë deri në 22 euro nga dyqanet online jashtë vendit, si “Temu”, “Shein” dhe “AliExpress”. Këto porosi kanë qenë të përjashtuara nga tatimi deri më tani.
Vendimi u miratua me 59 vota pro dhe 12 kundër, dhe pritet të ndikojë në rritjen e çmimeve për këto produkte të importuara me vlerë të ulët.
Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankulovski, deklaroi se ndryshimi ka për qëllim mbrojtjen e tregtarëve vendas të vegjël dhe krijimin e një kuadri ligjor më të qartë.
“Arsyeja kryesore për këtë ndryshim është krijimi i një kuadri më të drejtë dhe të barabartë për bizneset e vogla në Republikën e Maqedonisë, në krahasim me ato jashtë vendit, sa i përket pagesës së TVSH-së”, u shpreh Jankulovski.
Ai shtoi se përjashtimi i TVSH-së për porositë e vogla është hequr tashmë në Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa është në proces të heqjes edhe në Shqipëri. Sipas tij, edhe Bashkimi Evropian e ka hequr përjashtimin që nga 1 korriku 2021.