Oda Ekonomike kërkon zbatimin e aktgjykimit për tregun e energjisë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Supreme lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë dhe që kjo çështje të rikthehet në pikën zero. Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar veprime civile dhe penale nëse kjo nuk ndodh.

Gjykata Supreme ka shfuqizuar dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke konstatuar se ato kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët. Konkretisht, janë shpallur të paligjshme neni 8 i udhëzuesit të janarit 2017 dhe neni 2 i udhëzuesit për ndryshim dhe plotësim të tij.

Sipas Rafunës, shfuqizimi i këtyre neneve nënkupton se procesi i liberalizimit është kthyer në pikën zero. Ai kërkoi nga ZRRE që ta zbatojë aktgjykimin dhe të fillojë përgatitjen e bazës ligjore, duke siguruar siguri juridike dhe ekonomike për bizneset dhe qytetarët.

“Nëse kjo nuk ndodh, Oda Ekonomike do të ndërmarrë veprime të tjera juridike. Prokuroria Speciale është dashur të nisë procedurat ex officio për dëmin e shkaktuar sektorit privat dhe qytetarëve,” tha Rafuna.

Vendimi i Gjykatës erdhi pas padisë së ngritur nga Oda Ekonomike kundër ZRRE-së, pas udhëzimit të qershorit që detyronte bizneset e mëdha të kalojnë në treg të lirë të energjisë.

Rafuna theksoi se të gjitha bizneset e detyruara të dalin në tregun e lirë duhet të rikthehen në tarifën e rregulluar. Ai kritikoi ZRRE-në për mungesë dialogu dhe konsultimi me sektorin privat dhe institucionet relevante, si Autoriteti i Konkurrencës.

“Ne nuk jemi kundër tregut të lirë, por ky proces nuk është përgatitur siç duhet. ZRRE-ja, me veprimet e saj, ka shkaktuar dëm në sektorin privat, sigurinë ekonomike dhe te qytetarët. Rritja e çmimeve të energjisë ka ndikuar në inflacion, duke varfëruar popullatën,” theksoi ai, duke përmendur të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sipas të cilave ndikimi i energjisë në inflacion ka arritur në 17.4 për qind në shtator.

Ndërkohë, avokati i OEK-ut, Ekrem Hoxha, tha se vendimi i Gjykatës Supreme është i formës së prerë dhe i paankimueshëm. Ai shtoi se ZRRE është e detyruar ta publikojë aktgjykimin dhe ta njoftojë zyrtarisht KESCO-n për ndërprerjen e zbatimit të procesit të liberalizimit, pasi baza ligjore ka qenë në kundërshtim me ligjin.

Vendimi i ZRRE-së i qershorit detyroi bizneset me më shumë se 50 punëtorë dhe me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të kalojnë në treg të lirë. Këto biznese nuk furnizohen më me tarifa të rregulluara, por duhet të blejnë energji sipas ofertave të operatorëve privatë të licencuar. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta nga komuniteti i biznesit, i cili paralajmëroi pasoja për sektorin ekonomik dhe largim të mundshëm të punëtorëve.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *