Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut u mposht me rezultat të thellë 7-1 në Cardiff nga Uellsi, në ndeshjen e fundit të fazës kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Kjo ishte humbja e parë dhe e vetme për Maqedoninë përgjatë kualifikimeve, megjithatë skuadra e trajnerit Blagoja Milevski do të marrë pjesë në fazën play-off që zhvillohet në mars.
Milevski zgjodhi formacionin 3-5-2, duke bërë dy ndryshime në mbrojtje me Stojçevskin dhe Vellkovskin që u rikthyen në fushë. Ndeshja nisi keq për Maqedoninë. Në minutën e 17-të, gjyqtari akordoi një penallti të diskutueshme pas një kontakti mes Stojçevskit dhe Brooks, të cilën Wilson e konvertoi në gol për epërsinë 1-0 të Uellsit. Pak minuta më vonë, vetë Brooks dyfishoi rezultatin në 2-0.
Maqedonia reagoi dhe ngushtoi diferencën me një gol të Miovskit, i asistuar nga Vellkovski. Megjithatë, Uellsi riktheu ritmin dhe shënoi edhe një herë në pjesën e parë me një goditje të fuqishme nga distanca nga Brennan Johnson, duke e çuar rezultatin në 3-1.
Në pjesën e dytë, dominimi i vendasve vazhdoi. Daniel James realizoi për 4-1 pas një aksioni të kombinuar. Më pas, kapiteni Wilson shënoi edhe dy herë – një herë nga një goditje dënimi dhe më pas nga pika e bardhë e penalltisë – për të rritur epërsinë në 6-1. Golin e fundit për Uellsin e realizoi Brodhead në minutën e 88-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 7-1.
Pas kësaj humbjeje, Maqedonia pret shortin e të enjtes për të mësuar kundërshtarin në play-off, ku do të luajë si mysafire në përpjekje për të siguruar një kualifikim historik në Kampionatin Botëror.