Njëri nga lojtarët më në formë të Kombëtares së Kosovës, Florent Muslija, ka deklaruar se pas barazimit me Zvicrën, vëmendja tani është përqendruar te ndeshjet e play-offit për kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026.
Muslija realizoi një gol të bukur nga distanca në barazimin 1-1 kundër Zvicrës, duke ndihmuar ekipin të marrë një rezultat pozitiv.
“E rëndësishme është që nuk jemi mposhtur nga Zvicra. Kemi dëshmuar se mund të luajmë kundër tyre. Jam shumë i lumtur dhe është motivuese të mos pësosh humbje nga një ekip si Zvicra. Tani e kemi ndeshjen e play-offit në mars dhe shpresojmë të kemi fat. Kemi treguar që jemi një Kombëtare e denjë dhe të gjithë kemi dhënë maksimumin,” ka thënë mesfushori.
Muslija shtoi se ekipi e ka merituar pozitën që ka arritur dhe se ata besojnë në kualifikim. “E kemi merituar vendin që kemi. Besojmë se mund të arrijmë më shumë. Kam vetëbesim dhe e di që mund të ndihmoj ekipin,” deklaroi ai.
Kosova garoi në Grupin B së bashku me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë. Në këtë fazë kualifikuese, Kosova regjistroi tri fitore, dy barazime dhe një humbje, duke e mbyllur grupin në vendin e dytë me 11 pikë.
Kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në play-off janë: Polonia, Republika Çeke, Uellsi dhe Sllovakia.