Kombëtarja e Kosovës ka barazuar 1-1 me Zvicrën në ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026, e zhvilluar në Prishtinë.
Pas përfundimit të takimit, sulmuesi Vedat Muriqi u shpreh i kënaqur me paraqitjet e Kosovës gjatë këtij cikli. Ai theksoi se humbja e thellë e pësuar në ndeshjen e parë kundër Zvicrës ishte një pikë kthese për skuadrën.
“Ishte një ndeshje e vështirë. Që nga mëngjesi ka rënë shi pa ndërprerje. Dua të falënderoj tifozët për përkrahjen e madhe – stadiumi ishte plot. Ishte e rëndësishme për ne të mbanim rezultatet pozitive,” tha Muriqi.
Ai shtoi se ndryshimi i taktikës dhe i mentalitetit pas disfatës ndaj Zvicrës ndihmoi në përmirësimin e lojës dhe rezultateve të Kosovës.
“Humbja e thellë në Zvicër na kthjelli. Më pas ndryshuam taktikën dhe qëndrimin. Ekipi e pa qartë që, po të vazhdojmë kështu, mund të kemi sukses ndaj çdo kundërshtari,” tha ai.
Muriqi e cilësoi arritjen e vendit të dytë dhe kualifikimin në plejof si një sukses historik.
“Shpresoj të mos ndalemi këtu. Urojmë të mos kemi lëndime gjatë katër muajve të ardhshëm. Mezi presim muajin mars dhe shpresojmë të shkruajmë histori të mëtejshme,” theksoi sulmuesi.
Ai vlerësoi gjithashtu paraqitjet e dy lojtarëve të rinj, Fisnik Asllani dhe Albion Rrahmani.
“Jam shumë i lumtur për Fisnikun dhe Albionin. U uroj shumë suksese. Po e përsëris, ata do të bëjnë që të harrohet emri im me paraqitjet dhe golat e tyre,” përfundoi Muriqi.