Përurohet Qendra për Ngritjen e Kapaciteteve në Pylltari dhe dorëzohen pajisje për APK-në

Sot mbahet ceremonia e përurimit të Qendrës për Ngritjen e Kapaciteteve në Pylltari dhe dorëzimi i automjeteve të terrenit dhe pajisjeve teknike për Agjencinë e Pyjeve të Kosovës (APK).

Ngjarja organizohet në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”. Programi zbatohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë.

Gjatë ceremonisë do të dorëzohen tetë automjete terreni dhe pajisje për menaxhimin e zjarreve pyjore, të blera me fonde të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, do të ndahen njësi pajisjesh teknike për matje në pyje, të financuara nga Ambasada e Suedisë.

Këto pajisje janë të destinuara për të ndihmuar Agjencinë e Pyjeve të Kosovës në monitorimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e resurseve pyjore, si dhe për të rritur efikasitetin në parandalimin e veprimeve të paligjshme dhe dëmeve nga zjarret në natyrë.

Në ceremoni marrin pjesë përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e Suedisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Pyjeve të Kosovës dhe FAO.

Ngjarja mbahet në zonën e njohur si vend-gjuetia me rëndësi të veçantë “Blinaja”, duke filluar nga ora 10:30.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *