Eminem padit një kompani australiane për shkelje të markës tregtare

Reperi amerikan Eminem ka ngritur një padi ndaj një kompanie australiane të veshjeve të quajtur Swim Shady, duke pretenduar se emri i saj është shumë i ngjashëm me pseudonimin e tij të mbrojtur me markë tregtare, Slim Shady.

Sipas BBC-së, në muajin shtator, Eminem, emri i vërtetë i të cilit është Marshall B. Mathers III, paraqiti një kërkesë zyrtare në Zyrën e Patentave dhe Markave Tregtare të Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar anulimin e markës tregtare të miratuar për kompaninë Swim Shady.

Ligjet amerikane parashikojnë që kompania duhet t’i përgjigjet kërkesës deri javën e ardhshme. Avokatët e reperit 53-vjeçar kanë akuzuar kompaninë me seli në Sydney për krijimin e një marke që bie ndesh me të drejtat e autorit të klientit të tyre.

Menaxhmenti i Swim Shady deklaroi për BBC-në se do të “mbrojnë pronën e tyre të vlefshme”.

Kompania Swim Shady u regjistrua në shtator 2023 pranë rregullatorit australian të biznesit dhe fillimisht u njoh me emrin Slim Shade. Marka u lançua zyrtarisht në vitin 2024 dhe ofron produkte si çadra, çanta dhe pajisje plazhi.

Në fillim të këtij viti, Swim Shady paraqiti kërkesë për regjistrimin e emrit si markë tregtare edhe në SHBA, kërkesë që u miratua. Pak kohë më pas, ekipi ligjor i Eminem-it paraqiti një mocion për të anuluar këtë miratim.

Reperi ka dorëzuar gjithashtu një ankesë zyrtare për këtë çështje edhe në Australi. Dokumentet gjyqësore tregojnë se Eminem e regjistroi emrin Slim Shady si markë tregtare në SHBA që në vitin 1999, kur publikoi albumin me të njëjtin titull.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *