Kosova siguron vendin në ‘play-off’ për Kupën e Botës 2026

Kombëtarja e Kosovës ka përfunduar me sukses fazën kualifikuese për Kupën e Botës 2026, duke siguruar vendin e dytë në Grupin B dhe një biletë për fazën ‘play-off’. Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda realizoi tri fitore, dy barazime dhe një humbje.

Në mesin e paraqitjeve më mbresëlënëse ishin fitorja 1-0 në udhëtim ndaj Suedisë, ku Fisnik Asllani realizoi golin vendimtar, si dhe triumfi 2-0 kundër Sllovenisë, me një gol të hershëm nga Asllani dhe një autogol të mbrojtësit Zan Karnicnik.

Kosova mposhti përsëri Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 2-0, falë golave të Elvis Rexhbeçajt dhe Vedat Muriqit, ky i fundit pas një kundërsulmi të shpejtë të kombinuar me Albion Rrahmanin.

Humbja e vetme ishte ndaj Zvicrës, një prej ekipeve më të forta të grupit. Megjithatë, Kosova e ruajti pozitën e dytë falë diferencës së golave dhe konsistencës në rezultate.

Fisnik Asllani u shqua si një nga lojtarët më vendimtarë në sulm, ndërsa Vedat Muriqi vazhdoi të jetë figura qendrore në repartin ofensiv. Performanca të larta regjistruan edhe Dion Gallapeni në mbrojtje, si dhe Lumbardh Dellova, Arijanet Muric dhe Florent Muslija, që rezultuan me notat më të mira mesatare gjatë këtyre kualifikueseve.

Prurjet e reja Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari dhanë një kontribut të rëndësishëm, duke sjellë siguri dhe cilësi në lojën e skuadrës.

Me këto rezultate, Kosova hidhet një hap më pranë ëndrrës për debutimin në një Kampionat Botëror, që do të ishte pjesëmarrja e saj e parë historike në këtë garë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *