Hapet hetim i ri për sulm seksual ndaj Sean ‘Diddy’ Combs

Departamenti i Sherifit të Qarkut të Los Angelesit ka nisur një hetim të ri lidhur me një akuzë për sulm seksual ndaj reperit Sean ‘Diddy’ Combs.

Combs aktualisht po vuan një dënim me katër vjet burg, pasi u shpall fajtor për dy akuza për transportim njerëzish për qëllime prostitucioni. Ai fillimisht u akuzua për shantazh, trafikim dhe transportim njerëzish për prostitucion, pas arrestimit në shtator të vitit 2024.

Vendimi i gjykatës erdhi pas tetë javësh procedurash gjyqësore, gjatë të cilave dëshmuan edhe disa personazhe të njohur.

Akuzat e fundit kundër tij vijnë nga një producent muzikor dhe publicist i paidentifikuar nga Florida, i cili pretendon se e ka takuar Combs në një ambient fotografik në një depo në Los Angeles në vitin 2020.

Po ashtu, në raportin hetimor përmendet një incident nga marsi i vitit 2021, ku pretendohet se dy persona i mbuluan kokën para se të hynte në dhomë Combs, i cili më pas e akuzoi se ishte ‘spiun’.

Përmes një deklarate për NBC, avokati i Combs i mohoi akuzat, duke thënë: “Siç e ka deklaruar vazhdimisht ekipi ligjor i Combs për më shumë se një vit, ai nuk mund t’i përgjigjet çdo akuze të pabazuar në atë që është shndërruar në një cirk mediatik.”

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *