Gjatë një patrullimi rutinë në fshatin Jarinjë e Poshtme, njësitë policore kanë hasur një shtëpi të pabanuar me derë të thyer dhe të dëmtuar.
Pas kontrollit të brendshëm, policët kanë gjetur një predhë anti-tank dhe disa uniforma ushtarake. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në vendngjarje kanë dalë njësi relevante që kanë konfiskuar një predhë anti-tank të kalibrit 37 mm, modeli M38, si dhe disa veshje ushtarake me emblema të ushtrisë serbe, përfshirë një këmishë me mëngë të shkurta, dy xhaketa dimërore, një jakne dhe një palë pantallona.
Në objekt nuk është gjetur asnjë person i dyshuar apo dëshmitar. Rasti është raportuar te prokurori përkatës, i cili ka bërë cilësimin ligjor dhe hetimet janë duke vazhduar.
/Telegrafi/