Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, përjashtoi kategorikisht mundësinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane në vendin e saj për të luftuar kartelet e drogës. Deklarata u bë të martën, pas komenteve të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili shprehu gatishmërinë për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të ndalur hyrjen e drogës në SHBA.
“Kjo nuk do të ndodhë,” tha Sheinbaum, duke theksuar se Trump kishte sugjeruar më parë mundësinë e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-ve në Meksikë. “Unë i kam thënë atij se mund të bashkëpunojmë, se ata mund të na ndihmojnë me informacion, por ne veprojmë në territorin tonë dhe nuk pranojmë ndërhyrje nga qeveri të huaja,” shtoi ajo.
Presidentja meksikane tha gjithashtu se kjo qëndron u është bërë e qartë si Trump-it ashtu edhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe se ata e kanë kuptuar këtë qëndrim.
Të hënën, Trump ishte shprehur: “A do të doja sulme në Meksikë për të ndaluar drogën? Dakord, çfarëdo që të bëjmë për të ndaluar drogën,” duke shtuar se nuk ishte i kënaqur me veprimet e Meksikës.
Ambasada amerikane në Meksikë shpërndau një video në platformën X që përfshinte komentet e mëhershme të Rubio-s, ku thuhej se shtetet e bashkuara nuk do të ndërmerrnin veprime të njëanshme në Meksikë.
Ndërkohë, të martën, autoritetet meksikane dhe amerikane u përballën me një incident në një plazh në verilindje të Meksikës, që mund të përshkruhet si një shkelje e mundshme e sovranitetit territorial.
Disa persona u panë duke mbërritur me varkë në plazhin Playa Bagdad, ku vendosën tabela që shënonin zonën si pronë të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së dhe e shpallnin atë të kufizuar. Tabelat përmbanin paralajmërime në anglisht dhe spanjisht, duke ndaluar qasjen, fotografimin apo vizatimin e zonës pa autorizim.
Ministria e Punëve të Jashtme e Meksikës njoftoi se marina vendase kishte hequr tabelat, duke theksuar se ato ishin vendosur brenda territorit meksikan. Presidentja Sheinbaum konfirmoi se incidenti është duke u shqyrtuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve dhe Ujit, një organizatë dypalëshe që përcakton kufirin mes dy vendeve.
Pentagoni lëshoi një deklaratë ku thuhej se vendosja e tabelave nga kontraktorët amerikanë kishte të bënte me shënimin e “Zonës së Mbrojtjes Kombëtare III” dhe se ndryshimet në thellësinë e ujit dhe topografinë kishin ndikuar në perceptimin për vendndodhjen e kufirit.
“Personeli i Qeverisë së Meksikës hoqi 6 tabela bazuar në perceptimin e tyre për vijën kufitare ndërkombëtare,” thuhej në deklaratën e Pentagonit. Sipas saj, kontraktorët do të koordinohen me autoritetet përkatëse për të shmangur keqkuptime të ngjashme në të ardhmen.