Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, ka shprehur mbështetje për Granit Xhakën pas pritjes së ftohtë që ky i fundit mori nga një pjesë e tifozëve gjatë ndeshjes mes Kosovës dhe Zvicrës në Prishtinë.
Kosova e mbylli fazën kualifikuese me një barazim 1-1 ndaj Zvicrës, në një ndeshje të zhvilluar nën reshje të dendura shiu të martën mbrëma. Me këtë rezultat, Kosova siguroi vendin e dytë në grup dhe kalimin në fazën ‘play-off’.
Megjithatë, Granit Xhaka, që mban fanellën e Zvicrës, u përball me fishkëllima në çdo prekje të topit nga një grup tifozësh në stadium. Sipas raportimeve, reagimi i tifozëve erdhi pas disa deklaratave të mesfushorit kundër vendimeve të Albian Hajdarit dhe Leon Avdullahut për të përfaqësuar Kosovën në vend të Zvicrës.
Pas ndeshjes, Hajdari postoi një fotografi ku shihej së bashku me Xhakën dhe Avdullahun, e shoqëruar me mbishkrimin: “Ne jemi një”. Fotografia u rishpërnda edhe nga Avdullahu dhe më pas nga vetë Xhaka, duke treguar unitet mes lojtarëve pavarësisht zhurmës mediatike dhe reagimeve të tifozëve.