Ikballe Huduti ka bërë të ditur arsyen e mospjesëmarrjes së saj në edicionin e katërt të Big Brother VIP Kosova, duke thënë se ka vendosur të mos hyjë në shtëpi për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortit të saj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Huduti shprehu mirënjohje ndaj atyre që e kanë mbështetur dhe treguar mirëkuptim, ndërsa kritikoi ata që dyshuan në sinqeritetin e saj. Ajo u shpreh se vendimi nuk ka qenë i lehtë, pasi qëllimi i pjesëmarrjes ishte human dhe i lidhur me promovimin e vlerave morale.
Huduti theksoi se në kontratën me organizatorët kishte parashikuar ndaljen e pjesëmarrjes vetëm në rast të rëndimit të gjendjes së bashkëshortit, i cili vuan nga sëmundja e Parkinsonit. “Në kontratë kam deklaruar qartë se nuk do ta ndal këtë rrugëtim për asgjë, përveçse nëse gjendja e tij e kërkon, sepse Parkinsoni është sëmundje e ngadalshme dhe lidhet ngushtë me emocionet”, shkroi ajo.
Ajo shtoi se pranë burrit ndjehet në paqe dhe e sheh si detyrim shpirtëror dhe bashkëshortor që të qëndrojë pranë tij në momente të vështira.
Huduti u shpreh e zhgënjyer që nuk ishte pjesë e garës, duke e cilësuar këtë si një humbje të madhe, pasi – sipas saj – pjesëmarrja kishte për synim promovimin e vlerave morale që mungojnë në shoqëri.
Në fund, ajo uroi suksese për banorët e Big Brother VIP Kosova dhe bëri thirrje për më shumë mirëkuptim dhe njerëzi nga publiku: “Para se të shani, fyeni apo akuzoni, mendoni pak, sepse pothuajse çdo shtëpi shqiptare ka anëtarë me sfida dhe problematika morale”.