Kapet çift me metamfetaminë në Han të Elezit

Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë kryer kontrolle të detajuara në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit, duke identifikuar një rast të dyshuar për trafikim me substanca narkotike.

Gjatë kontrollit ndaj një çifti, në çantën personale dhe në automjetin e tyre janë gjetur dy qese që përmbanin rreth 150 gram substancë të dyshuar të llojit metamfetaminë.

Sipas njoftimit të Doganës, pas dokumentimit të rastit, substanca e konfiskuar dhe personat e përfshirë janë dorëzuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme.

Metamfetamina konsiderohet një substancë shumë e rrezikshme psikotrope, që shkakton varësi të shpejtë, rritje të agresivitetit, dëmtime të sistemit nervor, probleme kardiovaskulare dhe pasoja të rënda për shëndetin mendor dhe fizik.

Dogana e Kosovës thekson se përdorimi dhe trafiku i kësaj substance paraqet rrezik serioz për sigurinë publike dhe shëndetin e komunitetit.

Autoritetet doganore riafirmojnë përkushtimin në luftën kundër kontrabandës dhe çdo forme tjetër të krimit, me synim garantimin e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në të gjitha pikat kufitare të vendit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *