Të premten, më 21 nëntor, në orën 17:00 në Librarinë Dukagjini në sheshin ‘Nëna Terezë’, do të mbahet promovimi i romanit më të ri të autores shqiptare Ani (Anila) Wilms, e cila jeton dhe krijon në Gjermani.
Romani, me titull “Dielli në mërgim”, është botuar nga Botimet Dudaj në vitin 2025 dhe sjell një rrëfim të fuqishëm që ndërthur historinë, dramën dhe humanizmin e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në qendër të rrëfimit është Josef Jakoel, një djalosh hebre që, si shumë të tjerë, gjeti strehim në Shqipëri në kohë lufte. Libri bazohet në ngjarje të vërteta dhe hedh dritë mbi një fakt historik të rrallë në kontinent: asnjë hebre nuk u vra në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vetë autorja e përshkruan këtë ngjarje si një mrekulli njerëzore: “Asnjë viktimë e vetme ndër hebrenjtë në Shqipëri… ishin gra e burra që i mbronin hebrenjtë ditë pas dite, duke vënë në rrezik jetën dhe familjet e tyre.” Ajo përmend gjithashtu gojëdhënën që udhëhiqte shpresën e refugjatëve hebrenj: “Kushdo që ia del të hyjë në Shqipëri, është i shpëtuar. Për çudinë e tyre, gojëdhëna doli e vërtetë.”
Ani Wilms, e lindur në Tiranë dhe e rritur në Durrës, është autore e disa romaneve historike dhe fituese e çmimeve prestigjioze në Gjermani. Me stilin e saj të saktë dhe të ndjeshëm, ajo risjell një faqe të lavdishme të humanizmit shqiptar.
Promovimi i romanit në Prishtinë paraqet një mundësi për të gjithë të interesuarit në letërsinë historike dhe për të njohur nga afër zërin e një autoreje të veçantë.
Ngjarja është e hapur për publikun.