Gjykata e Qytetit të Kopenhagenit ka dënuar futbollistin e Benficës dhe të kombëtares së Norvegjisë, Andreas Schjelderup, me 14 ditë burg me kusht dhe një vit lirim me kusht, pasi ai pranoi se kishte shpërndarë një video me përmbajtje seksuale në Snapchat, në të cilën përfshihej një person i mitur. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2022, gjatë kohës kur 21-vjeçari luante në Danimarkë.
Sipas mbrojtjes, Schjelderup e kishte marrë videon pa e kërkuar dhe e kishte shpërndarë te disa miq si “shaka e keqe”, përpara se ta fshinte. Gjykata theksoi se lojtari nuk e kishte kërkuar materialin, kishte shfaqur pendim dhe cilësoi dënimin si një “karton të verdhë”. Gjithashtu, ai u urdhërua të paguajë shpenzimet gjyqësore.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të ashpër: 20 ditë burg pa kusht dhe një paralajmërim për dëbim nga Danimarka, duke argumentuar se rasti përputhej me vendime të mëparshme. Megjithatë, gjykata vendosi për një dënim më të lehtë.
Pas shpalljes së vendimit, Schjelderup nuk dha deklarata për mediat. Avokati i tij, Anders Nemeth, tha se klienti i tij “nuk po shmang përgjegjësinë” dhe se nuk kishte më asgjë për të shtuar, përveç faljes së dhënë gjatë gjykimit. Lojtari ka 14 ditë kohë për të vendosur nëse do të apelojë vendimin.
Komentatori i NRK-së, Jan Petter Saltvedt, e cilësoi vendimin si një lehtësim për Schjelderup, duke theksuar se rasti mund të shërbejë si një paralajmërim i rëndësishëm për sportistët e rinj në epokën dixhitale.