Taravari: Mbetem pjesë e AKI-së, në Gostivar do të garojë Valbon Limani

Kreu i njërit prej krahëve të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar se mbetet pjesë e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), ndryshe nga Ziadin Sela që është larguar nga kjo strukturë.

Sipas Taravarit, ai dhe partia që përfaqëson vazhdojnë të veprojnë si pjesë e AKI-së. Ai ka bërë të ditur se pret “reforma të mira” në Kongresin e ardhshëm të BDI-së, i cili pritet të mbahet në dhjetor.

Duke komentuar zgjedhjet e përsëritura për kryetar të Komunës së Gostivarit, të cilat pritet të zhvillohen në fillim të vitit 2026, Taravari përjashtoi mundësinë që BDI të paraqesë kandidat të vetin. Ai tha se ekziston një marrëveshje që kandidati i përbashkët i ASH-së dhe BDI-së do të jetë Valbon Limani, kryetari aktual në detyrë i komunës, i cili zëvendësoi Taravarin pasi ky i fundit u emërua Ministër i Shëndetësisë.

“Kemi një marrëveshje. Kandidati i përbashkët për Gostivarin do të jetë Valbon Limani, që fitoi me 17.000 vota kundër 4.200, ndërsa i munguan vetëm 21 vota për ta kaluar censusin. Kjo çështje është zgjidhur prej kohësh”, tha Taravari për gazetën “Fokus”.

Ai shtoi se fitorja në Gostivar ishte me raport 4 me 1 në favor të Limanit, ndërsa një diferencë edhe më e madhe është shënuar në komunën e Vrapçishtit në mbështetje të kandidatit të tij, Isen Shabani. Edhe në këtë komunë, bashkë me Qendër Zhupën dhe Mavrovën, do të zhvillohen zgjedhje të përsëritura për shkak të pamundësisë për të arritur censusin në raundin e parë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *