Me 134 tërheqje automjetesh dhe me fluks të shtuar pune, qendrat e shërbimit të Ford janë përballur me aktivitet të shtuar. Përballë kësaj ngarkese, kompania po has vështirësi në rekrutimin e punonjësve të rinj.
Drejtori Ekzekutiv i Ford, Jim Farley, foli për këtë problem gjatë podkastit “Office Hours: Business Edition”, duke theksuar se aktualisht kanë rreth 5,000 vende të lira pune për mekanikë. Sipas tij, pavarësisht se disa nga këto pozicione ofrojnë paga deri në 120,000 dollarë në vit – gati dyfishi i pagës mesatare kombëtare prej 63,795 dollarësh – kompania nuk po arrin të sigurojë stafin e nevojshëm.
Farley vuri në dukje se përgatitja për këto pozita kërkon pesë vite mësim, dhe puna kërkon aftësi të specializuara – si p.sh. nxjerrja e një motori dizel nga një kamionçinë Super Duty.
Ai e cilësoi mungesën e punonjësve esencialë si një problem madhor për industrinë dhe theksoi se kjo situatë nuk kufizohet vetëm te mekanikët, por shtrihet edhe te punëtorët e shërbimeve emergjente, shoferët e kamionëve, punonjësit e fabrikave, elektricistët, hidraulikët dhe zejtarët.
“Zoti na ruajt të hynim në ndonjë luftë, sepse Google nuk mund të prodhojë aeroplanët dhe tanket që na duhen”, u shpreh Farley, duke iu referuar mungesës së fuqisë punëtore teknike dhe profesionale.
Sipas New York Post, çdo vit mungojnë rreth 37,000 teknikë të trajnuar, ndërsa Byroja e Statistikave të Punës parashikon mesatarisht 67,800 vende të lira pune për teknikë dhe mekanikë të shërbimit automobilistik deri në vitin 2033. Mungesa e teknikëve tashmë ka sjellë pasoja, si vonesa në riparime dhe pakënaqësi te klientët.