Gjatë seancës së së mërkurës në Kuvendin e Shqipërisë, pati një përplasje verbale mes deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Balliu akuzoi qeverinë për korrupsion në projekte të ndryshme infrastrukturore. “Vjedhjet me aeroportin, vjedhja në tunelin e Llogarasë. Pse nuk reagoni ju ministrat? Sepse jeni bashkëpunëtorë në krim. Ju nuk interesoheni për qytetarët. Ky është një buxhet që shkon për ministrinë me vjedhjet më të mëdha. Ju keni rritur kostot e jetesës”, u shpreh Balliu.
Në përgjigje, Balluku reagoi ashpër, duke bërë akuza personale ndaj deputetit demokrat: “Do ikni a do rrini në sallë? Kur flitet për vjedhje, Klevis Balliun duhet ta dëgjoni me vëmendje, sepse është i specializuar. Është rritur në një familje ku vjedhja ka qenë pjesë e edukimit. Tezja e tij, Blegina Agolli, ka qenë sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës dhe njëkohësisht administratore e kompanisë ‘Alpin Bau’, e themeluar me një shtetas serb. Ajo përfitonte fonde si pjesë e administratës. Shpresoj që këto para t’i ketë ndarë me Klevisin. Nëse SPAK-u do të kishte ekzistuar në atë kohë, ajo do të ishte në burg sot.”
Pas akuzave dhe debatit të ashpër, Balliu kërkoi fjalën për procedurë, por pas tensioneve të vazhdueshme, zv.kryetarja e Kuvendit i hoqi të drejtën e fjalës. Në situatë ndërhyri edhe Garda e Republikës.