SHBA i propozon Ukrainës një plan paqeje që përfshin lëshime territoriale

Shtetet e Bashkuara i kanë sinjalizuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se Ukraina duhet të shqyrtojë pranimin e një plani paqeje, i hartuar nga Uashingtoni, për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Sipas dy burimeve të njohura me çështjen, plani parashikon që Kievi të heqë dorë nga territore të caktuara dhe të reduktojë forcat e armatosura.

Burimet, të cilat preferuan të qëndronin anonime për shkak të ndjeshmërisë së temës, thanë se Uashingtoni dëshiron që Ukraina të pranojë pikat kryesore të këtij plani, raporton Reuters.

Plani i mundshëm paraqet një sfidë të madhe për Ukrainën, e cila përballet me përparime të mëtejshme territoriale nga Rusia në lindje të vendit. Ndërkohë, Zelensky përballet edhe me një krizë të brendshme politike, pas shkarkimit të ministrave të energjisë dhe të drejtësisë në kuadër të një skandali korrupsioni.

Një zyrtar i lartë ukrainas i ka thënë më herët agjencisë Reuters se Kievi ka marrë “sinjale” në lidhje me propozime të ndryshme të SHBA-së për të përfunduar konfliktin, por ka nënvizuar se Ukraina nuk ka pasur rol në hartimin e tyre.

Të mërkurën, gjatë një vizite në Turqi, Zelensky u takua me presidentin Recep Tayyip Erdogan, ndërsa të enjten pritet të zhvillojë bisedime me zyrtarë të ushtrisë amerikane në Kiev.

Lajmet për një nismë të re diplomatike të udhëhequr nga SHBA ndikuan pozitivisht në tregjet financiare, duke shkaktuar rritjen më të madhe të çmimeve të obligacioneve qeveritare të Ukrainës në muajt e fundit.

Bisedimet direkte mes Kievit dhe Moskës nuk janë zhvilluar që prej një takimi në Stamboll në korrik. Në ndërkohë, Rusia vazhdon operacionet ushtarake në Ukrainë, përfshirë edhe sulme gjatë natës që lanë të paktën 25 viktima.

Edhe pse përpjekjet për rifillimin e negociatave duket se po fitojnë vrull, Moska nuk ka dhënë sinjale për ndryshim në qëndrimet e saj. Presidenti rus Vladimir Putin kërkon që Ukraina të tërhiqet nga përpjekjet për anëtarësim në NATO dhe të largohet nga katër provinca që Rusia i konsideron si pjesë të saj.

Ukraina, nga ana tjetër, deklaron se nuk do të pranojë këto kushte.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *