Ka nisur sot procesi gjyqësor për zjarrin tragjik në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan, ku humbën jetën dhjetëra të rinj. Prokurori Borçe Janev deklaroi se fatkeqësia u shkaktua nga gabimi njerëzor dhe dështimi institucional.
Në deklaratën e tij, Janev ngriti pyetje të qarta për përgjegjësinë ligjore dhe morale: “Kush lejoi të funksionojë objekti pa leje? Kush lejoi hyrjen e të rinjve në një ambient të pasigurt? Kush lejoi përdorimin e materialeve të ndezshme në një vend të tillë?” Sipas tij, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm tek personi që aktivizoi pajisjet piroteknike.
Prokurori akuzoi pronarin e diskotekës, Dejan Jovanov, se ka shkelur rregullat për përfitime personale, duke anashkaluar kontrollet, falsifikuar dokumente dhe mashtruar institucionet, përfshirë edhe duke futur në rrezik fëmijën e tij.
Ngjarjet që çuan në tragjedi, sipas akuzës, nisën që në vitin 2012, kur Jovanov punësoi projektuesen Milka Edrovska për të paraqitur objektin si punishte për industrinë e lehtë, ndërsa në realitet e ktheu atë në kabare dhe diskotekë. Ministria e Ekonomisë fillimisht nuk e miratoi lejen, por pas dy javësh leja u lëshua, pavarësisht mungesës së kushteve minimale teknike. Sipas prokurorit, inspektorja Blashka falsifikoi të dhënat për të lejuar hapjen e lokalit, ndërsa ministri i atëhershëm i Ekonomisë, Valon Saraçini, nënshkroi lejen e funksionimit.
Për vite me radhë, nuk u kryen kontrollime të rregullta dhe askush nga institucionet përgjegjëse nuk mori masa për të mbikëqyrur aktivitetin e diskotekës. Sipas akuzës, pas diskotekës qëndronte një grup i udhëhequr nga Dejan Jovanov dhe djali i tij, i njohur si grupi i DNK-së, i cili kishte performuar më parë në këtë ambient me efekte piroteknike të njëjta.
Në natën tragjike, hapësira nuk kishte ventilim apo dalje emergjente dhe agjencia e sigurisë ‘Rubikon’, së bashku me rojet e saj, lejuan hyrjen e mbi 600 personave, përfshirë edhe të mitur, pa asnjë kontroll. Prokurori theksoi se ambienti ishte i lyer me materiale toksike, që shpejtonin helmimin, duke përkeqësuar pasojat e zjarrit.
Si rezultat i kësaj tragjedie, 63 të rinj humbën jetën dhe 212 të tjerë mbetën të plagosur. Seanca e radhës e gjyqit është caktuar për më 25 nëntor.