Studim i ri lidh dëmtimin e rrjeteve nervore me humbjen e kujtesës te Alzheimeri

Dëmtimi i rrjeteve mbrojtëse që rrethojnë neuronet në tru mund të jetë një nga shkaqet e paaftësisë për të njohur njerëzit e afërt te personat me sëmundjen e Alzheimerit, sipas një studimi të fundit nga studiuesit e Universitetit të Virxhinias dhe Virginia Tech, botuar në revistën shkencore “Alzheimer’s & Dementia”.

Sipas koordinatori të studimit, Harald Sontheimer, zbulimi i këtij ndryshimi strukturor përfaqëson një objektiv të ri terapeutik. Ai thekson se tashmë ekzistojnë disa ilaçe në përdorim për trajtimin e tumoreve dhe artritit që mund të ndikojnë në këto struktura dhe të ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës.

Në tru, ekzistojnë struktura të njohura si rrjete perineuronale, të cilat formojnë një mbështjellëse mbrojtëse rreth neuroneve. Këto rrjete luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e komunikimit midis qelizave nervore dhe në formimin e kujtimeve të reja.

Bazuar në këtë, studiuesit supozuan se dëmtimi i rrjeteve perineuronale mund të jetë një faktor kyç në zhvillimin e Alzheimerit. Eksperimentet e kryera te minjtë treguan se dëmtimi i këtyre rrjeteve në zonën CA2 të hipokampusit shkakton humbjen e të ashtuquajturës “kujtesë sociale”, që nënkupton aftësinë për të mbajtur mend individë të tjerë, ndërsa kujtesa për objektet mbetet e paprekur.

Kjo pasqyron simptomat te njerëzit me Alzheimer, ku kujtesa sociale dëmtohet më herët se ajo për objektet. Për të frenuar këtë proces, studiuesit testuan përdorimin e ilaçeve të quajtura inhibitorë të metaloproteinazave të matricës (MMP). Këto ilaçe bllokojnë enzimat që shpërbëjnë proteinat në matricën jashtëqelizore, përfshirë rrjetet perineuronale.

Rezultatet treguan se minjtë që morën këto ilaçe patën më pak dëmtime në rrjetet perineuronale dhe ruajtën më mirë kujtesën sociale, pavarësisht pranisë së sëmundjes Alzheimer.

Sontheimer theksoi se, përpara se kjo qasje të aplikohet te njerëzit, nevojiten studime shtesë për të vlerësuar sigurinë dhe efikasitetin. Ekspertë të pavarur shtojnë se, megjithëse gjetjet janë premtuese, kalimi nga eksperimentet te minjtë drejt provave klinike te njerëzit kërkon kohë dhe verifikim të hollësishëm.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *