Përleshje mes ushtarëve izraelitë në një bazë ushtarake

Ushtarë të Brigadës Givati dhe të Trupave të Inxhinierisë të ushtrisë izraelite (IDF) janë përfshirë në një përleshje fizike në një sallë ngrënieje brenda një baze ushtarake në veri të vendit.

Sipas mediave ndërkombëtare, incidenti ka ndodhur të dielën dhe ka nisur fillimisht si një debat verbal, i cili më pas është përshkallëzuar në dhunë fizike. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ushtarët duke hedhur karrige drejt njëri-tjetrit, qëndrojnë mbi tavolina dhe goditen mes tyre. Disa prej tyre janë përpjekur të ndërhyjnë për të ndalur sherrin.

Ushtria izraelite ka reaguar ndaj ngjarjes duke theksuar se e konsideron incidentin si shumë serioz dhe se sjellje të tilla nuk përfaqësojnë vlerat e ushtrisë. “Në përfundim të hetimit do të merren masa komanduese dhe disiplinore në përputhje me gjetjet”, tha IDF në një deklaratë zyrtare.

Deklarata shton gjithashtu se IDF e dënon çdo sjellje të dhunshme dhe do të vazhdojë të promovojë disiplinën, etikën dhe profesionalizmin në çdo kohë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *