Anulohet seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka anuluar seancën gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për veprën penale të spiunazhit.

Sipas njoftimit të gjykatës, trupi gjykues ka urdhëruar një ekzaminim psikiatrik për të pandehurin Bedri Shabani, me kërkesë të mbrojtjes së tij. Për këtë arsye, seanca e planifikuar për datën 20 nëntor 2025 është anuluar.

“Seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale PS.nr.13/2025, ndaj të akuzuarve B.SH. dhe M.Q., për shkak të veprës penale Spiunazhi, është anuluar pasi trupi gjykues ka urdhëruar një ekzaminim lidhur me gjendjen mendore të të pandehurit B.SH., sipas propozimit të mbrojtjes,” thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata sqaron se ekzaminimi psikiatrik nuk mund të përfundojë brenda një kohe të shkurtër. Palët në proces do të njoftohen paraprakisht për datën e ardhshme të seancës, përmes ftesave nga gjykata.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 19 shkurt 2025 ndaj Shabanit dhe Qerimit, të cilët dyshohen se kanë mbledhur dhe përcjellë informacione drejt Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA) lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe ngjarje të ndjeshme, përfshirë edhe një masakër.

Sipas Prokurorisë, qëllimi i këtyre veprimeve ishte nxitja e një konflikti ndëretnik brenda Kosovës, krijimi i një narrative të rreme për përfshirjen e Spitalit Ushtarak të UÇK-së në trafikim organesh dhe hedhja dyshime mbi të vërtetën e masakrave në vend.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *