Lojtarët e Arsenalit po kalojnë një formë të shkëlqyer këtë sezon, duke kryesuar Premier Ligën pas 11 javëve të para. Megjithatë, pauza për ndeshjet ndërkombëtare solli lajme shqetësuese për skuadrën e Mikel Artetës.
Gjatë grumbullimit me kombëtaren e Brazilit, mbrojtësi Gabriel Magalhaes pësoi një lëndim, duke ngritur shqetësime në kampin londinez. Nëse konfirmohet skenari më i keq, ai mund të mungojë deri në 11 ndeshje, në një periudhë kur Arsenali përballet me kundërshtarë të fortë si Tottenham, Bayern Munich, Chelsea, Brentford dhe Aston Villa.
Gabriel është një nga shtyllat e mbrojtjes së Arsenalit, duke sjellë siguri në prapavijë dhe rrezik në goditjet standarde falë aftësive të tij në ajër. Deri më tani, ai ka luajtur në 17 ndeshje këtë sezon, duke shënuar 2 gola dhe dhënë 3 asistime.
Sipas raportimeve të The Athletic, lëndimi mund ta detyrojë të qëndrojë jashtë fushave deri në fund të vitit. Klubi ende nuk ka publikuar një vlerësim përfundimtar nga stafi mjekësor, por mungesa e tij do të ishte një goditje e madhe për skuadrën që synon titullin në Premier Ligë.