Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Sipas njoftimit të SBASHK, kallëzimi bëhet “për shkak të dyshimit të bazuar të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, me arsyetimin se ministri Murati “ka mosvepruar sipas Ligjit për Këshillin Ekonomik Social”.
Sindikata pretendon se ministri nuk ka shpallur ftesën për formimin e Këshillit Ekonomik Social “që nga fundi i vitit 2022”, edhe pse për këtë, sipas SBASHK, ai është i obliguar ligjërisht.
SBASHK thotë se kjo mospërmbushje e detyrimit ligjor ka shkaktuar pasoja të mëdha për sindikatat dhe punëtorët në të gjithë vendin. “Me këtë mosveprim, Murati ka shkaktuar dëme të palës së tretë, pra sindikatave dhe anëtarëve të sindikatave në tërë Kosovën, duke pamundësuar diskutimin për ligjet dhe rregulloret që prekin gjithë të punësuarit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sindikata thekson se mungesa e Këshillit Ekonomik Social ka lënë vendin pa Marrëveshje Kolektive. SBASHK citon po ashtu se “Kosova mbetet si i vetmi shtet në rajon që nuk ka këtë Marrëveshje të nënshkruar”, e cila, sipas saj, është e garantuar me Ligjin e Punës.
(Njoftim i buruar nga Telegrafi.)