Një zjarr ka përfshirë paraditen e sotme një kompani–depo materialesh në magjistralen Ferizaj–Kaçanik, pranë udhëkryqit me rrugën “Driton Islami” në Ferizaj. Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha për Telegrafin se: “Sot, më datë 20.11.2025, rreth orës 09:15, policia ka pranuar një informatë për një incident zjarri që ka përfshirë një kompani – depo të materialeve, e cila ndodhet në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në afërsi të udhëkryqit me rrugën ‘Driton Islami’ në Ferizaj.”
Veseli shtoi se menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendngjarje kanë dalë ekipet e zjarrfikësve, si dhe njësitë policore të stacionit dhe hetimeve. “Dëmet materiale dyshohet të jenë të konsiderueshme, ndërsa shkaqet e zjarrit për momentin mbesin të panjohura dhe do të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve. Policia ka siguruar perimetrin e zonës së incidentit me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe stafit operues,” deklaroi ai.
Sipas Veselit, ekipe të shumta zjarrfikëse nga Ferizaj dhe nga komunat e tjera që kanë ardhur në asistim po punojnë intensivisht për lokalizimin e zjarrit, në mënyrë që ai të mos përhapet në objektet përreth. Në vendngjarje ndodhen edhe njësitë policore që monitorojnë situatën dhe sigurojnë zonën.
Burimi: Telegrafi