Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, reagoi pas zhvillimeve në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku sot u shkarkua Besim Kelmendi nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit.
Sallahu e konsideron këtë shkarkim si një shkelje flagrante të ligjit nga ata që duhet të jenë zbatuesit më të përpiktë të tij. Ai po ashtu kërkoi reagim nga Zyra e Bashkimit Evropian, Ambasada Amerikane dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.
Në postimin e tij, Sallahu thekson se vendimmarrja brenda kësaj përbërjeje të KPK po dominohet nga përplasje të brendshme, gara për pushtet dhe lëvizje të koordinuara mes grupeve, e jo nga interesi i shtetit dhe i sistemit të drejtësisë. Sipas tij, kjo tregon se KPK është e fragmentuar dhe nuk vendos mbi bazën e profesionalizmit dhe integritetit, por sipas linjave të brendshme të influencës.
Sallahu shprehu se drejtësia nuk mund të përparojë nëse organi që garanton pavarësinë dhe llogaridhënien e prokurorëve vepron me logjikën e grupeve dhe dominimit të brendshëm. Ai thekoi nevojën për institucione të drejtësisë që punojnë për qytetarët dhe jo për grupime brenda zyrave.
Sipas tij, këto zhvillime duhet të motivojnë një reformë të thellë, me përgjegjësi dhe transparencë në çdo nivel të sistemit të drejtësisë. Sallahu tha se jetësimi i reformës së nisur duhet të vazhdojë pa frikë, duke eliminuar grupet e interesit dhe duke rritur llogaridhënien, përgjegjësinë dhe transparencën.