Festim Kabashi, një prej emrave të njohur të gazetarisë në Kosovë, i është bashkuar sot Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Lajmin e bëri të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. “Me mbi dy dekada përvojë në Radiotelevizionin e Kosovës, Festimi ka dëshmuar profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të rrallë në informimin e publikut dhe ndërtimin e mediave kredibile në vend,” tha Abdixhiku.
Ai shtoi se Kabashi sjell në LDK një profil të fuqishëm profesional dhe një angazhim fisnik për Republikën. “LDK sot fiton një kuadër të ri që beson në vlerat tona, rrugëtimin dhe ekipin që kemi. Ardhja e tij, dhe e të tjerëve pas tij, duhet të shihet si tregues dhe njëkohësisht si thirrje për përbashkim të secilit që nuk ndihet i komod me situatën politike të tanishme, që dëshiron ndryshim dhe angazhohet për këtë. Dyert tona janë të hapura,” u shpreh Abdixhiku.
Festim Kabashi është i martuar me gazetarën Blerta Foniqi Kabashi. Lajmi u publikua nga Telegrafi.