Ferizaj: Kërkohet paraburgim 30-ditor për shtetasen italiane të dyshuar për narkotikë dhe falsifikim parash

Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarës D.G.E., shtetase italiane, për shkak të dyshimit për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Falsifikimi i parasë”.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se më 19.11.2025, rreth orës 10:30, në pikën kufitare Hani i Elezit, në hyrje të Kosovës, e pandehura pa autorizim ka transportuar substanca dhe preparate të shpallura me ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, me qëllim të shpërndarjes.

Nga Njësia Anti-kontrabandë e Doganës, në bashkëpunim me policinë kufitare, pas kontrollit në vijë të dytë të autobusit nga Shkupi dhe kontrollit të valixhes së të pandehurës, janë gjetur dhe sekuestruar materialet vijuese: katër qese me pluhur të bardhë (ndër të cilat dy qese najloni me substancë të dyshuar Methamphetamine, me peshë totale 24.93 gram), një qese najloni me substancë të dyshuar Mephedrone (MMC) me peshë totale 4.20 gram, një qese najloni me substancë pluhur të bardhë të papërcaktuar me peshë totale 1.78 gram, dy shishe qelqi me lëng të dyshuar Gamma-Butyrolactone (GBL) me peshë respektive 83.96 gram dhe 74.84 gram, si dhe një epruvetë qelqi për tymosje të drogave. Të njëjtat ishin transportuar nga shteti i Polonisë dhe janë sekuestruar nga policia.

Gjithashtu, ekziston dyshim i bazuar se në të njëjtën ditë të pandehura posedonte dy kartëmonedha nga 100 euro (200 euro në total) të falsifikuara, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan nga Njësia Anti-kontrabandë e Doganës në bashkëpunim me policinë kufitare.

E pandehura, që nga data 19 nëntor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të përmendura.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *