Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e tregut të gjësë së gjallë, poshtë urës së Mifolit, duke shkaktuar përmbytje në disa banesa. Shtabi i Emergjencave Civile është vënë në gatishmëri dhe ka njoftuar banorët për rrezikun e shtuar.
Niveli i lumit ka arritur 7.10 metra, çka ka bërë që tre banesa pranë urës së Mifolit të jenë të përmbytura. Në Memaliaj, niveli është regjistruar deri në 7.2 metra, duke rritur rrezikun për përmbytje të mëtejshme në zonat përreth.
Si pasojë e prurjeve, që arritën pikun gjatë orëve të natës dhe deri në mëngjes, janë përmbytur toka bujqësore në zonën e Frakullës dhe Kashishtit. Edhe në fshatin Çerven raportohet për toka të përmbytura dhe vështirësi për fermerët.
Parashikimet meteorologjike njoftojnë reshje të dendura në Përmet, Gjirokastër dhe Memaliaj, të cilat mund të rrisin më tej prurjet e Vjosës dhe të përkeqësojnë situatën. Sipas parashikimeve, lumi Konica pritet të ketë prurje të larta, ndërsa gjendja po qetësohet pjesërisht për shkak të prurjeve më të ulëta të Shushicës dhe Drinosit.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe për ndjekjen e udhëzimeve të strukturave të emergjencës. Ekipet e shpëtimit po monitorojnë nga afër gjendjen e lumit dhe zonat e rrezikuara, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm dhe pritet që prurjet të ndryshojnë në orët në vijim.