Gjermania prezanton Boeing P-8A Poseidon, aeroplani më i madh luftarak i Bundeswehr

Ushtria gjermane prezantoi të enjten Boeing P-8A Poseidon, aeroplanin e saj më të madh luftarak në veprim.

Kapiteni Oliver Ottmüller e përshkroi atë si “ndryshues i lojës” në kërkimin e nëndetëseve.

Ky është i pari nga tetë aeroplanët që do të stacionohen gradualisht në bazën ajrore Nordholz, pranë Cuxhaven në veriperëndim të Gjermanisë.

P-8A do të operojë kryesisht në zonën e Atlantikut të Veriut midis Grenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të njohur si boshllëku GIUK. GIUK konsiderohet një pikë të ndjeshme ku nëndetëset ruse mund të futen në Atlantik dhe të cenojnë linjat detare të furnizimit të NATO-s në rast konflikti.

Sipas Marinës gjermane, P-8A Poseidon bazohet në aeroplanin e pasagjerëve Boeing 737. Me pak më pak se 40 metra gjatësi, ai është aeroplani më i madh luftarak në Bundeswehr.

Aeroplani mund të arrijë shpejtësi deri në 936 km/orë dhe ka një rreze veprimi prej 7,000 kilometrash. Ai mund të monitorojë zona të mëdha detare, të gjurmojë lëvizjet e anijeve dhe të lokalizojë nëndetëset duke përdorur radar, sisteme akustike dhe optike.

Marina thekson rëndësinë e aeroplanëve modernë të zbulimit për bashkëpunimin brenda NATO-s. Trajnimi dhe mirëmbajtja kryhen në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Norvegjinë dhe Australinë. Ekuipazhi prej 11 anëtarësh është trajnuar me vendet partnere për muaj me radhë.

Vendimi për blerjen e P-8A, që zëvendëson modelin më të vjetër P-3C Orion, u mor në vitin 2021. Të tetë aeroplanët pritet të dorëzohen deri në vitin 2028.

Telegrafi

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *