Operacion i vështirë për mbylljen e çarjes në argjinaturën e Lagunës së Vainit

Operacioni për mbylljen e çarjes në argjinaturën e Lagunës së Vainit vijon me vështirësi të mëdha, ndërsa situata në zonat e ulëta mbetet kritike. Pas shkarjes së argjinaturës mbrëmjen e së mërkurës, sipërfaqja e përmbytur u zgjerua ndjeshëm të enjten, duke izoluar banesa dhe duke bërë rrugët të pakalueshme, veçanërisht në zonën e Myltes dhe Barbullojës.

Sipas RTSH, banorët shprehin shqetësim që niveli i ujit po rritet. Përveç rrezikut për banesat, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe blegtorinë.

Strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Lezhë, ekipet teknike dhe forcat e ushtrisë janë angazhuar në terren dhe punojnë pa ndërprerje. Ndërhyrja kryhet me mjete të rënda dhe kamionë të ngarkuar me gurë e materiale inerte, me qëllim frenimin e depërtimit të ujit drejt fshatrave në Njësitë Administrative Shënkoll dhe Zejmen.

Punimet hasin vështirësi të mëdha, pasi rruga që çon te pika e çarjes kalon brenda territorit të mbrojtur të kënetës, çka ngadalëson dhe rrezikon lëvizjen e automjeteve të rënda. Këto kushte kanë vështirësuar ritmin e mbylljes së çarjes.

Përveç ekipeve të Bashkisë dhe ushtrisë, ndihmë me mjete të rënda kanë ofruar edhe disa kompani private, në përpjekje për të përshpejtuar mbylljen e thyerjes dhe për të shmangur izolimin e mëtejshëm të zonave të banuara.

Terreni dhe situata mbeten nën vëzhgim të vazhdueshëm nga autoritetet.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *