National Hypertension Taskforce Australia njofton se kripa e pasuruar me kalium është një nga mënyrat më efikase për uljen e tensionit të gjakut dhe për parandalimin e infarktit dhe goditjes në tru.
Profesori Bruce Neal nga George Institute for Global Health e përshkroi rekomandimin si të bazuar fuqishëm në prova dhe si një zgjidhje të zbatueshme dhe efikase për përmirësimin e kontrollit të tensionit të gjakut. Rekomandimet janë publikuar në revistën Journal of Hypertension.
Grupi Kombëtar i Punës për Hipertensionin, themeluar në vitin 2022 për të adresuar shkallën e ulët dhe stagnimin e kontrollit të presionit të lartë në Australi, synon të dyfishojë normat e kontrollit nga 32% në 70% deri në vitin 2030. Aktualisht hipertensioni prek një në tre të rritur australianë dhe konsiderohet shkaku kryesor i vdekjeve dhe paaftësisë që mund të parandalohen.
Çfarë është kripa e pasuruar me kalium?
Kripa e pasuruar me kalium është një përzierje e natrium-klorurit dhe kalium-klorurit që përdoret si alternativë ndaj kripës së zakonshme të tryezës. Zakonisht një pjesë e natrium-klorurit zëvendësohet me kalium-klorid në raportin rreth 75:25.
Përfitimet kryesore të saj:
– Ul tensionin e gjakut: reduktimi i natriumit zvogëlon mbajtjen e lëngjeve dhe presionin në enët e gjakut, ndërsa kaliumi ndihmon në balancimin e elektroliteve dhe relaksimin e enëve.
– Përmirëson balancën e elektroliteve: kaliumi është i rëndësishëm për funksionimin e muskujve, sistemit nervor dhe zemrës.
– Mund të ulë rrezikun e goditjes në tru dhe ngjarjeve kardiovaskulare: provat klinike në shkallë të gjerë tregojnë se zëvendësimi i pjesës së natriumit me kalium mund të ulë tensionin e gjakut, rrezikun e ngjarjeve të mëdha kardiovaskulare dhe vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare.
Konteksti global
Marrja e tepërt e natriumit dhe mungesa e kaliumit lidhen me hipertensionin. Konsumi i lartë i natriumit vlerësohet të jetë përgjegjës për 1.9 milionë vdekje në vit në mbarë botën. Megjithatë, pavarësisht fushatave publike, konsumi i kripës mbetet afërsisht dyfish më i lartë se niveli i rekomanduar, ndërsa marrja e kaliumit vazhdon të jetë e ulët.
Rregjistrimi i udhëzimeve
Një rishikim i 32 udhëzimeve për hipertensionin në botë tregoi se të gjitha rekomandojnë reduktimin e natriumit; shumë sugjerojnë rritjen e marrjes së kaliumit, por vetëm katër përmendin kripën e pasuruar me kalium dhe vetëm dy rekomandojnë përdorimin e saj rutinë. Sidoqoftë, udhëzimet më të fundit të European Society of Hypertension, European Society of Cardiology dhe American College of Cardiology/American Heart Association tashmë rekomandojnë përdorimin e kripës së pasuruar me kalium.
Burimi: Telegrafi