Google ka nxjerrë një përditësim për aplikacionin Maps që sjell disa mjete të reja, përfshirë parashikimin e disponueshmërisë së karikuesve për automjetet elektrike.
Parashikimi i karikuesve
Aplikacioni më parë shfaqte vetëm vendndodhjen e karikuesve, por jo nëse ato ishin të lirë. Mjeti i ri do të tregojë “sa karikues ka të ngjarë të jenë të disponueshëm kur arrini në lokacion”. Për këtë përdoret një kombinim i inteligjencës artificiale dhe informacionit në kohë reale për të parashikuar numrin e karikuesve të lirë. Google thotë se kjo do të ndihmojë përdoruesit të shmangin radhët dhe të kursejnë kohë. Funksioni do të jetë i disponueshëm nga java e ardhshme, por fillimisht vetëm përmes Android Auto dhe makinave me shërbime të integruara Google.
Ridizajnimi i kartelës Explore
Kartela Explore është ridizajnuar për të lehtësuar gjetjen e listave të kuratuara nga influencues lokalë dhe kompani si OpenTable. Përdoruesit thjesht rrëshqasin lart për të parë restorantet, aktivitetet dhe atraksionet më të njohura në afërsi. Kartela e përditësuar do të jetë e disponueshme globalisht këtë muaj për Android dhe iOS.
Integrimi i Gemini
Google po integron më shumë funksionalitete të asistentit AI Gemini në Maps. Chatbot-i do të japë këshilla “dini para se të nisni” përpara vizitave në restorante, hotele, salla koncertrash dhe vende të tjera. Google e përshkruan Gemini-n si një “udhërrëfyes ekspert që tregon rrugën”. Ky funksion i këshillave të bazuara në AI tashmë është i disponueshëm për shumë përdorues në SHBA, në Android dhe iOS.
Emri i recensuesve
Tani recensuesit mund të ndryshojnë emrin e shfaqur kur japin komente për bizneset lokale. Google thotë se kjo lejon përdoruesit të recensojnë dyqanet me emra të dëshiruar, por nënvizon se komentet mbeten të lidhura me llogarinë Google të përdoruesit.
Veçori të tjera
Ky përditësim vjen gjithashtu me udhëzime live për korsitë e vozitjes për pronarët e Polestar 4 dhe parashikohet të vijë së shpejti edhe në orët inteligjente Garmin.
Burim: Telegrafi