Një banesë u përfshi nga zjarri në orët e hershme të mëngjesit në Pejë, ndërsa Policia evakuoi disa banorë për siguri.
Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, Policia u njoftua rreth orës 05:40 se në rrugën ‘Bill Klinton’, në ndërtesën ‘Rokaqielli’, në katin e tetë një banesë ishte përfshirë nga zjarri.
Në vendngjarje dolën Policia, zjarrfikësit dhe një ekip mjekësor. Për shkaqe sigurie disa banorë u evakuan nga ndërtesa.
Gashi bëri të ditur se zjarri është lokalizuar dhe nuk ka të lënduar.
Në vendngjarje janë njësitet kompetente policore. /Telegrafi/