LAMM: Qarkullim normal, rrugët të lagura — kujdes në disa seksione rrugore

Lidhja Automoto e Maqedonisë (LAMM) njofton se komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, ndërsa rrugët janë të lagura.

Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare, nga ana e RMV-së, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon qarkullim me shpejtësi të rregulluar dhe respektim të sinjalistikës së vendosur, si dhe drejtim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, korridore lumenjsh dhe gryka, ku ekziston rreziku i rrëshqitjeve të dheut. Seksionet e veçanta për vëmendje janë: Katllanovë–Veles, Mavrovë–Dibër–Strugë, Vinicë–Berovë dhe Koçan–Delçevë.

Që nga 15 nëntori 2025 ka hyrë në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete, pavarësisht kushteve aktuale të motit. Ky obligim zgjat deri më 15 mars 2026.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *