Familja e Elijonës Binakaj i ka bërë thirrje urgjente produksionit të Big Brother VIP Kosova për shkak të situatave të krijuara brenda shtëpisë.
Elijona, 18 vjeçe, hyri në program për të sfiduar veten, por sipas familjes është vendosur nën presion të vazhdueshëm dhe madje është bllokuar fizikisht nga banoret Benita dhe Alba. Familjarët reaguan pas këtyre ngjarjeve, duke kërkuar mbrojtje dhe veprime të menjëhershme nga produksioni.
Ata theksojnë se nuk bëhet më fjalë për lojë, por për veprime që rrezikojnë mirëqenien e saj dhe kërkojnë që prodhimi të ndërhyjë pa vonesë për të ndalur provokimet që tejkalojnë kufijtë etik dhe moral, duke pasur parasysh moshën e saj.
Deklarata e familjes:
“Gjatë orëve të fundit kemi ndjekur me shqetësim të madh disa situata të transmetuara nga shtëpia e Big Brother, ku Elijona është vendosur nën presion psikologjik dhe sjellje të papranueshme nga disa banorë. Veprimet që përfshijnë intimidim, heshtje të detyruar ose veprime fizike penguese ndaj saj janë të papranueshme për ne si familje.
Ne kërkojmë me urgjencë që produksioni të ndërhyjë menjëherë, të vlerësojë situatën me seriozitet dhe të marrë masat e nevojshme për të garantuar mirëqenien, sigurinë dhe të drejtën e Elijonës për të qëndruar në një ambient të shëndetshëm e të drejtë.
Elijona është aty për të konkurruar, jo për t’u përballur me forma presioni apo provokime që tejkalojnë kufijtë e lojës. Kërkojmë transparencë dhe reagim të menjëhershëm. Faleminderit të gjithëve që tregojnë kujdes dhe mbështetje.” /Telegrafi/